Saturday, February 27, 2010





Veshjet Kombetare


Veshjet kombëtare shqiptare të regjioneve të ndryshme folklorike kanë orgjinalitetin e vet, koloritin e jashtëzakonshëm dhe janë shumë të lashta. Ato bëjnë pjesë në fondin botëror të veshjeve të popujve të Evropës dhe të Botës.Me këto veshje populli ynë ka bërë jetën e vet në përditshmëri, në festa, në lindje dhe në vdekje; në luftra dhe në paqe. Me to ka kënduar dhe vallëzuar. Me to edhe sot këndon dhe vallëzon përmes ansambleve amatore dhe profesionale të këngëve dhe valleve. Me këto veshje shqiptari është krenuar, sepse në to ka shprehur ndjenjat e veta prej artisti gjenial. Ato edhe në ditët e sotme shijohen sepse rrezatojnë një mesazh të lashtë të brezave të artistëve popullor e anonimë që kanë thurë me mjeshtri e talent veshjet dhe mbathjet të cilat u kanë qëndruar shekujve. Të gjitha trevat autoktone shqiptare në Ballkan janë njëkohsisht edhe sot treva autoktone e të pasura me kostumografi kombëtare duke u shtrirë ato në mënyrë vertikale dhe horizontale. Natyrisht këto veshmbathje, në jetën e sotme moderne nuk mund të përdoren në përditshmëri siq janë përdorur dikur. Mirpo, një pjesë prej këtyre veshmbathjeve, shih, edhe sot, në regjione të caktuara malore të shqiptarëve në Ballkan, të gjeneratave të vjetra, bëjnë jetën e tyre aktive si pjesë përbërëse e garderobës së përditshme ose festive. Në Kosovë dhe në Maqedoni kjo është më e shprehur.

Veshjet kombëtare shqiptare, një pasuri e rrallë kostumografike, në nivel planetar, i kanë lakmuar dhe i kanë pëlqyer njerz të shquar nga mbarë Evropa dhe Bota. Ata janë mahnitur me ngjyrat e tyre dhe gërshetimin e motiveve nga flora dhe fauna, simetrinë dhe asimetrinë e figurave. ( p. sh. Bajroni ishte njëri ndër artistët e famshëm botërorë që i adhuroi aq shumë veshjet shqiptare, duke i afirmuar ato edhe vet me poza të veçanta si një maneken i shkathët e profesional ).
Ekzemplarë të rrallë të veshjeve të burrave, të grave, nuseve, vajzave, djelmoshave e fëmijëve sot gjenden të shpërndarë anekënd nëpër muzeume të njohura evropiane e botërore si në Londër, Paris, Vjenë, Boston, Athinë, Romë, Torino...

Një pasuri e tillë e rrallë kombëtare duhet të kultivohet jo vetëm me interesimin e shoqërive të këngëve dhe valleve për kostume kombëtare, ose vetëm me mbylljen nëpër muzeume, por edhe në ngritjen e fabrikave të artizanateve dhe veshmbathjeve popullore si në Kosovë, si në Shqipëri e gjetiu. Kështu do të ngritet me lart ky art dhe dizajn i mrekullueshëm kostumografik i kombit. Ai pastaj shtrihet dhe pasuron shijen artistike të dizajnerëve, kostumografëve dhe garderobierve të sotëm modernë shqiptarë dhe të huaj.

Vlerat e mirëfillta të artit të lashtë e të ri të gjeniut popullor nuk mund t'i përjashtojë nga jeta as epoka e sotme dinamike e internetit, satelitëve dhe e kibernetikës.Madje me përdorimin e shkathët të këtyre të arriturave teknike planetare, vlerat kombëtare kanë një shans të jashtëzakonshëm përhapjeje dhe njohjeje.

( teksti Mustafë Xhemaili )

No comments:

Post a Comment